Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se partitë opozitare po mbledhin nënshkrimet për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Komisionin hetimor për krizën energjetike.
Kjo pasi dështoi mbajtja e seancës së 28 marsit pasi 23 deputetë votuan pro e 50 kundër për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës.
“Besoj që do t’i mbledhim shpejt 40 nënshkrimet të cilat do të sjellin seancën e jashtëzakonshme për diskutim dhe aprovimin e këtij Komisioni”.
“Ikja prej një hetimi parlamentar për temën e energjisë është ikje nga përgjegjësia shtetërore insitucionale, qeveritare me gabimet një pas një që janë bërë me trajtimin e kësaj teme. Energjia është trajtuar si temë dytësore jo si temë kryesore për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Ai foli edhe për Ligjin e Pagave, duke kërkuar madje që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të raportojë për këtë çështje në Kuvend.
Këtë situatë të krijuar ai e ka quajtur pazotësi, injorim dhe mashtrim punën e Qeverisë.