Shtetasi shqiptar Renato Numani, është ndaluar ditën e sotme nga policia italiane.
Numani ishte dënuar me 7 vite burg për “Mashtrim” dhe prej disa kohësh fshihej në Bregamo.
54-vjecari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2015 shqiptari i ka marrë një shtetasi 10 milionë lekë të reja përmes një mashtrimi.
NJOFTIMI:
Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët ndërmjet FAST Albania dhe FAST Italia, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “BERGAMO”. Kapet në Bergamo të Italisë 1 shtetas shqiptar, i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “Mashtrimi”. Në kuadër të bashkëpunimit që FAST Albania ka me kolegët e rrjetit ENFAST, është organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas informacioneve të grumbulluara nga FAST Albania, për vendndodhjen e 1 shtetasi në kërkim, i cili jetonte në Itali, dhe pas përcjelljes së këtyre informacioneve homologëve të FAST Italia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bergamo”, është bërë e mundur që në qytetin Bergamo të Italisë, të kapet nga FAST Italia, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar Renato Numani, 54 vjeç, nga Fieri. Ky shtetas është i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi në vitin 2015 i ka marrë një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, 10 milionë lekë të reja. Shtetasi Renato Numani fshihej prej disa vitesh në Bergamo të Italisë, ku jetonte me familjen e tij. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, po vijon punën për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.