Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në A2, ka treguar projektin e tij “Berisha 3”, “që shqiptarët të mos mbeten më kombi që lind fëmijë për emigracion”.
“Berisha 3” është projekt që shqiptarët të mos mbeten më kombi që lind fëmijë për emigracion, të mos jenë më njerëzit që jetojnë në një nga vendet më të pasura me burime natyrore të Europës dhe të punojnë si argatë në tokat e të tjerëve. Në vitet 1992-1997, popullata në Shqipëri nisi të rritej, po ashtu si edhe të ardhurat për frymë. Atëherë u rrit shpresa, ashtu siç u rrit në periudhën 2007-2014. Prandaj, ky është projekt i madh për vendin, për ta integruar Shqipërinë në BE, për ta fuqizuar rolin e saj në NATO. Unë i qëndroj këtij projekti, gjithnjë mbi bazën e vullnetit dhe votës së lirë të shqiptarëve dhe anëtarëve të PD-së. Por, ka dhe një arsye madhore: Sali Berisha është personi i vetëm që ka mundur dy herë Edi Ramën”, deklaroi ish-kryeministri.
Kur u pyet se si mund të vihet në jetë ky projekt ndërkohë që SHBA e ka shpallur “non grata”, Berisha theksoi: “Në një betejë që e konsideroj të një rëndësie jetike për PD-në dhe vendin, unë i drejtohem genit shqiptar. Cilido që shikon në retrospektivë, unë ky kam qenë në tërësi. Nëse në vitin 1998 unë kisha kundër të gjithë botën, të përfaqësuar nga OSBE, BE, të cilët dërguan një trojkë me mesazhin që unë duhet të largohesha, sepse isha pengesë e madhe për qeverisjen socialiste, atyre u kam dhënë përgjigjen që meritonin. Përpjekjet e mia për rikthimin e atëhershëm, shënojnë një nga sukseset më të pamohueshme në historinë e vendit. Nuk bëra asnjë lobing përveçse të bind shqiptarët. Isha i vendosur që të zbatoja ato vlera që kanë bërë të lira të gjitha kombet. Mbi këtë bazë, nga marrëdhënie pothuajse inekzistente me SHBA-në apo me vende të tjera, u arritën marrëdhënie kulmore. Kjo nuk ndodhi se unë kisha fuqi magjike, por sepse partnerët vlerësuan lart përpjekjet dhe reformat e qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, unë qëndroj pas vlerave të cilat i bëjnë shqiptarët më të lirë, të sigurtë dhe të begatë”.
“Yuri Kim, ka bërë gjithçka që të presë marrëdhëniet me demokratët, që kur u ka servirur atyre barin. Prandaj, do ta këshilloj guvernatoren Kim, që në rast se dëshiron të ketë komunikim të sinqertë me ta, t’u kërkojë të falur demokratëve për shprehjen e diktatorit mizor Enver Hoxha, që përdori në gusht. Ajo ishte një frazë e mirëmenduar. Ose ajo e ka studiuar Enver Hoxhën, ose në rininë e saj ka patur lidhje me grupe marksiste-leniniste që qarkullonin veprat e autorit. Ajo ishte një përzgjedhje fraze për të ofenduar shqiptarët, të cilët, për shkak të varfërisë ekstreme që shkatoi diktatura e Enver Hoxhës, kanë ngrënë edhe bar në vend të ushqimit”, shtoi Berisha.