Shaip Kamberi humbet mandatin, shqiptarët mbeten të pa përfaqësuar në parlamentin e ri të Serbisë. Kur janë numëruar rreth 97 për qind e votave në Serbi, asnjëri prej dy koalicioneve të partive shqiptare nuk e tejkalon pragun për të siguruar të paktën një mandat në parlamentin e ri.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, kryesuar nga deputeti aktual, Shaip Kamberi ka marrë rreth 9400 vota, ose 0.26 për qind të tyre, duke mos u përkthyer në asnjë mandat në Kuvend.
Koalicioni tjetër, Alternativa Demokratike Shqiptare ka siguruar rreth 3200 vota, ose 0.09 për qind të tyre dhe gjithashtu pa asnjë mandat në parlamentin e ri serb. Kamberi ka kërkuar ripërsëritjen e zgjedhjeve në Serbi
“Qytetarë të nderuar,
“Koalicioni I shqiptarëve të Luginës” I përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përball në këtë process zgjedhor.
Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë.
Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës. Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bën procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira.
Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar te të Luginës së Preshevës.
Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve.
Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa rezervë.
Megjithë votat e marra ato akoma nuk janë garancë për të fituar një mandat” shkruan ai.