Bordi i Transparencës është mbledhur sërish dhe ka njoftuar për çmimet e reja të karburanteve që nga dita e sotme.
Mësohet se nafta nga 233 do të shkojë në 228, pra 5 lekë më lirë se ditën e djeshme. Ndërsa për sa i përket gazit ai do të ketë çmim të pandryshueshëm dhe benzina ka rënë me 1 lekë për litër.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
228 Lekë/litri për naftën;
208 Lekë/litri për benzinën;
115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 06.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.