Një makinë është përplasur në portën e Ambasadës ruse në kryeqytetit rumun, Bukuresht, duke shpërthyer në zjarr dhe duke vrarë shoferin, tha policia.
Sipas policisë në Bukuresht, makina u përplas në portën e Ambasadës rreth orës 06:00 sipas kohës lokale, më 6 prill, por nuk arriti të hyjë brenda kompleksit të ambasadës.
Zjarrfikësit arritën që ta shuanin zjarrin, por shoferi i makinës vdiq në vendin e ngjarjes, thanë autoritetet përmes një deklarate.
Videot e postuara pas incidentit tregojnë makinën e përfshirë nga zjarri teksa personeli i sigurisë shihej duke vrapuar.
Ende është e paqartë nëse ky ishte një aksident apo makina u përplas qëllimisht. Policia tha se po hetonte incidentin dhe nuk publikoi identitetin e shoferit.
Në javët e fundit, disa ambasada ruse në shtete të Evropës kanë qenë cak i protestuesve të zemëruar, pas nisjes së luftës të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.