Ministrja gjermane e shtetit për Evropën në qeverinë gjermane Anna Lirman konsideron se hapat e ndërmarra nga Republika Serbe që çojnë në shkëputje janë një sulm ndaj Bosnje Herzegovinës dhe mbarë Evropës, duke shtuar se Gjermania duhet të ndalojë Millorad Dodikun.
Ajo ka thënë se Gjermania përshëndeti forcimin e misionit ushtarak në Bosnje dhe se po shqyrtohet përfshirja e ushtrisë gjermane në këtë operacion.
“Gjermania është e shqetësuar për planet për shkëputje. Është një sulm ndaj unitetit, paqes dhe stabilitetit të Bosnje, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës”, ka thënë Lirman.
Ajo ka theksuar se Gjermania duhet të ndalojë Millorad Dodikun dhe duhet të mbështesë Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt.
“Ndarjet etnike nuk duhet të thellohen në vend. Nëse marrëveshja për reformën e ligjit zgjedhor dështon, zgjedhjet megjithatë duhet të mbahen në tetor. Përpjekja për bojkotim apo shtyrje të zgjedhjeve do të çonte vetëm në rritjen e tensioneve në vend”, ka thënë ajo.
Ministrja Lirman i krahasoi ngjarjet në Ukrainë me gjenocidin në Srebrenicë.
“Kjo na përkujton gjenocidin në Srebrenicë. Sot na kujtohet fillimi i luftës tridhjetë vjet më parë, në të cilën humbën jetën mbi 100.000 njerëz dhe më shumë se dy milionë u dëbuan. Marrëveshja e paqes çoi në përfundimin e luftës, por ne shohim ndarjen etnike në vend që ende ndikon në jetën e përditshme, dominon në politikë dhe bllokon progresin”, ka thënë Lirman.
Përfaqësuesi i klubit CDU/CSU, Peter Beyer, ka thënë se lufta e fundit nuk duhet të harrohet.
“Kur shikojmë sot realitetin e qytetarëve të Bosnje, ky vend po kalon krizën më të madhe që nga fundi i luftës 30 vjet më parë. Ka përpjekje nga Republika Serbe për t’u shkëputur. Dodik mbështetet nga Moska dhe Kremlini në ato përpjekje i cili do të jetë hapi i parë në këtë drejtim”, ka thënë Beyer.
Ai ka shtuar se deklaratat e ambasadorit të Rusisë në BeH, Igor Kalabukhov, janë kërcënim specifik për Bosnje dhe Hercegovinën. Ai theksoi se BeH duhet të fitojë një perspektivë evropiane dhe se procesi i pranimit duhet të përshpejtohet.
“Unë bëj thirrje për vendosjen e trupave gjermane në të gjithë BeH, sepse kjo është e rëndësishme për stabilitetin e Evropës”, ka thënë Bayer.
Ministrja e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit Svenja Schulze ka thënë se Gjermania mbështet procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Kjo është e rëndësishme për njerëzit e rajonit dhe për viktimat. Rusia ka mbështetur tendencat separatiste në vendet partnere si BeH, Moldavia dhe Gjeorgjia për 30 vitet e fundit. Ata kanë mbështetur destabilizimin, ne duhet të veprojmë kundër kësaj“, tha Schulze.