Në dalje të Shqipërisë me drejtim Kosovën ditën e sotme ka pasur fluks dhe radhë kilometrike të automjeteve të shkaktuar si pasojë e mungesës së punonjësve në doganën e Morinës.
SPAK zhvilloi një aksion duke pezulluar drejtuesin dhe duke çuar pas hekurave 17 policë, 14 të tjerë janë në arrest shtëpie dhe 3 u pezulluan.
Si funksiononte skema?
SPAK thekson se nga hetimet ka rezultuar se punonjësit e policisë ishin të përshirë në një skemë kriminale që e kishte kthyer doganën në “han pa porta”. Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.