El Shafee Elsheikh, anëtar i një celule famëkeqe të grupit militant Shteti Islamik, i njohur si “Beatles”, është shpallur fajtor për të gjitha akuzat e lidhura me vdekjen e katër pengjeve amerikane në Siri.
Një juri federale në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara e gjeti fajtor El Shafee el-Sheikh, 33 vjeç, për pengmarrje vdekjeprurëse dhe komplot për vrasje.
Ndaj tij ishte zhvilluar një gjykim që zgjati tri javë.
Ky është rasti më i lart gjyqësor kundër një luftëtari të IS-it që është zhvilluar në SHBA.
Banda “Beatles” e IS-it, përbëhej edhe nga tre persona të tjerë. Kjo celulë mori këtë emër për shkak të theksit britanik të anëtarëve të këtij grupi.
Nga veprimet e këtij grupi janë vrarë katër pengje amerikane, gazetarët James Foley dhe Steven Sotloff dhe punëtorët e ndihmës Kayla Mueller dhe Peter Kassing.
Banda “Beatles” e IS-it është fajësuar edhe për vdekjen e punëtorëve të ndihmës nga Britania, David Haines dhe Alan Henning, si dhe të gazetarëve japonezë Haruna Yukawa dhe Kenji Goto.
Disa prej viktimave u ishte prerë koka dhe vrasjet e tyre janë incizuar dhe më pas janë publikuar në rrjetet sociale.
El-Sheikh dhe anëtari tjetër i këtij grupi, Alexanda Kotey ishin mbajtur në një bazë ushtarake amerikane në Irak, para se të dërgoheshin në SHBA për t’u përballur me drejtësinë.
Mohammed Emwazi, një shtetas britanik që ka mbikëqyrur ekzekutimet, i njohur si “Xhihadi John”, vdiq më 2015 në një sulm me dron. Ndërkaq, anëtari i katërt i grupit, Aine Lesley Davis është dënuar në Turqi nën akuza për terrorizëm.
Në shtator të vitit 2021, Alexanda Kotey, u deklarua fajtor për vrasjet e Foley, Sotloff, Mueller dhe Kassig. Kotey është shtetas i Mbretërisë së Bashkuar, por Qeveria britanike ia ka hequr shtetësinë. /REL