Policia izraelite u përlesh me disa palestinezë të maskuar që gjuanin gurë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në qytetin e vjetër të Jerusalemit. Dhuna shpërtheu pas lutjeve të mëngjesit. Forcat izraelite të sigurisë kanë qenë në gatishmëri të lartë pas një serie sulmesh vdekjeprurëse në të gjithë vendin gjatë dy javëve të fundit, dhe konfrontimet në vendin e shenjtë mbartin rrezikun e ndezjes së një konflikti më të gjerë midis Izraelit dhe grupeve militante palestineze në Gaza.
Tensionet janë ndezur në Jerusalem që në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit. Autoritetet bënë të ditur se protestuesit hynë në kompleksin Al-Aksa duke shkatërruar disa pjesë të rëndësishme të kësaj xhamie. Shërbimi i ambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se 59 persona u plagosën nga gazi lotsjellës.
Policia u detyrua të hynte në terren për të shpërndarë turmën dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme. Ministria e Jashtme e Izraelit deklaroi se përleshjet në Al-Aksa nuk kanë të bëjnë me namazin, por me përdhosjen që po i bëhet xhamisë në muajin e Ramazanit.
Hamasi, grupi islamik që kontrollon Gazën, dënoi policinë izraelite dhe tha se Izraeli mbart përgjegjësinë për pasojat. Palestinezët kanë frikë se Izraeli po planifikon të marrë kontrollin e vendit ose ta ndajë atë. Autoritetet izraelite thonë se janë të përkushtuara për të ruajtur status quo-në, por vitet e fundit hebrenjtë nacionalistë e kanë vizituar vendin me shoqërimin e policisë.