Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka paralajmëruar se forcat e armatosura të shtetit të tij do ta shënjestrojnë Izraelin, nëse ky i fundit ndërmerr veprime kundër Republikës Islamike.
“Nëse ndodh lëvizja më e vogël nga ana juaj kundër shtetit të Iranit, qendra e regjimit Zionist do të jetë destinacion i forcave tona të armatosura”, tha Raisi, duke iu referuar Iraelit. Ai nuk dha më shumë detaje, por shtoi se Irani po shikon “nga afër” çdo lëvizje të Izraelit.
Raisi i bëri këto komente më 18 prill gjatë fjalimit në paradën vjetore të forcave të armatosura të Iranit. Teherani nuk e ka njohur Izraelin që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe mbështet grupe militante anti-izraelite, të tilla si Hamas dhe Hezbollah.