Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur për herë të parë pas raportimeve të mediave serbe që Britania e Madhe është duke e armatosur Kosovën. Vuçiç ka thënë se askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.
Vuçiç ka përmendur edhe Marrëveshjen e Kumanovës.
“Marrëveshja e Kumanovës parashikon KFOR-in si forcë të vetme në Kosovë”, ka thënë ai.
“Pyetja ime për Perëndimin është e thjesht, jo vetëm për Britaninë që po e armatos (Kosovën) me armë shumë të rrezikshme – a jeni ju ata që kërkoni respektimin e ligjit ndërkombëtar çdo herë dhe e shkelni çdo ditë?”, ka pyetur Vuçiç.
Ai ka vazhduar: “Pse po i armatosni? Ju pengon kur armatoset Serbia, ndërsa jo kur këtë e bënë Kroacia?”.
Mediat serbe, mbështetëse të Vuçiç, raportuan që një avion i forcave ajrore të Britanisë së Madhe, që ka zbarkuar të premten në Aeroportin e Prishtinës, ka sjellë disa lloje armësh në Kosovë.
Sipas këtyre raportimeve të pakonfirmuara nga KFOR-i, përveç furnizimit, forcat britanike do ta bëjnë edhe trajnimin falas për ushtarët e FSK-së për përdorimin e armëve. Në këto raportime u tha po ashtu që Vuçiç do të kërkonte llogari nga kryeministri britanik Boris Johnson, por nuk e ka përmendur diçka të tillë.
Gjatë një interviste për një televizion serb, Vuçiç ka folur gjithashtu edhe për luftën në Ukrainë. Ai ka thënë se tani “gjendemi në një lloj konflikti botëror”.
Vuçiç ka theksuar se kjo situatë e re, pas fundshkurtit të këtij viti, e ka vënë në pozicion të vështirë Serbinë, për shkak të aleancës së ngushtë që gëzon me Rusinë.
Ai ka thënë se mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, ka sjellë pasoja, por sipas tij, pasojat do të ishin edhe më të rënda sikur Serbia t’i vendoste ato ndaj Rusisë, sikur të gjitha shtetet perëndimore.