Këshilli i Sigurimit zhvilloi sot debatin e hapur për situatën në Lindjen e Mesme duke përfshirë këtu çështjen palestineze dhe izraelite.
Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, deklaroi se e vetmja rrugë e duhur për palët është krijimi i një realiteti, ku izraelitët dhe palestinezët të gëzojnë lirinë dhe të drejtat e barabarta.
Sipas tij, mbajtja dhe zhvillimi i kontakteve ndërqeveritare mes Izraelit dhe Palestinës është një shenjë e “mirë dhe sa herë kanë ndodhur ka pasur vetëm rezultate për të dyja palët”.
“Mosbashkëpunimi është thjesht një ditë tjetër e humbur për paqen”, tha Hoxha duke shtuar se në të shkuarën është parë rezultat kur palët kanë ndërvepruar dhe dëgjuar njëra-tjetrën.
Kryediplomati shqiptar dënoi me vendosmëri dhunën në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa.
Për të vendet e shenjta dhe festat fetare – nuk duhet të jenë target i dhunës, por duhet të shërbejnë si reflektim.
“Ne jemi të shqetësuar për humbjet e jetëve të palestinezëve, sidomos fëmijëve dhe grave”, tha Hoxha duke bërë thirrje që Izraeli ta ndalojë përkeqësimin e situatës.
Ai kërkoi që çdo vdekje dhe sulm të hetohet, pasi terrorizmi është i dënuar botërisht dhe i papranueshëm.