-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Të pakapshmit nga drejtësia në Kosovë

Kryesoret

Persona të profilit të lartë, të cilët përballen me akuza për krim të organizuar dhe korrupsion në Kosovë, zakonisht shpëtojnë lehtë nga ndjekja penale, thonë përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë.

Kritikat e vazhdueshme në adresë të gjyqtarëve e prokurorëve kryesisht ndërlidhen me mungesën e pavarësisë dhe me ndikimin politik ndaj tyre, por edhe me punën e ngadaltë, që rezulton pastaj me vjetërsimin e lëndëve.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Kosova me vite renditet në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të korrupsionit.

Duke iu referuar gjetjeve të një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), i cili ka vlerësuar se Kosova nuk ka bërë luftë efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se sistemi i drejtësisë po dështon vazhdimisht në gjykimin e rasteve të profileve të larta.

“Kosova nuk ka arritur të dëshmojë as vullnet e as rezultate konkrete, për të dënuar me aktgjykime përfundimtare personat e fortë apo personat e profilit të lartë, për vepra penale korruptive”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar më 12 prill raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë, ku në pjesën për Kosovën është vlerësuar se personave të profilit të lartë, që përballen me aktakuza për korrupsion, u shqiptohen dënime të lehta, të tilla si me kusht apo me gjobë dhe jo dënime me burgim efektiv.

“OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare kanë pretenduar se ka dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë, kanë rezultuar me dënime”, thuhet në raportin e DASH-it.

Gjetjet e DASH-it janë mbështetur në raportimet e vazhdueshme edhe të organizatave joqeveritare në Kosovë.

Zvarritje dhe hedhje poshtë e aktakuzave

Në bazë të një monitorimi që ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), gjatë vitit 2021, gjykatat e shkallës së parë në Kosovë kanë pasur 424 lëndë të korrupsionit, ndërsa kanë arritur të merren me vetëm 129 prej tyre. Prej këtyre të fundit, 38 kanë përfunduar me aktgjykim lirues apo refuzues, të tjerat kanë mbetur në trajtim.

Shumë aktakuza ndaj personave të profileve të larta janë të destinuara të dështojnë qysh në fillim, thotë Njmoza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS.

“Ne kemi dhënë kritika edhe sa i takon mangësisë së aktakuzave që kanë të bëjnë me aktet akuzuese, sepse, në të shumtën e rasteve, nuk janë të arsyetuara mirë, sidomos ato raste ku janë të përfshira figura të nivelit të lartë”, thotë Arifi.

Miftaraj thotë se aktualisht janë dy fenomene në sistemin e drejtësisë që pengojnë rezultatet: Këshilli Gjyqësor që po mundohet të rrisë performancën dhe kredibilitetin e gjykatave, si dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës me qeverisje, sipas tij, të dobët dhe me tendenca të pandëshkueshmërisë.

“Përderisa Këshilli Gjyqësor është duke bërë njëlloj vettingu vetanak në sistemin gjyqësor, Këshilli Prokurorial po vazhdon me të vjetrën, duke i ofruar vetvetes pandëshkueshmëri apo duke ndërmarrë veprime që janë duke cenuar kredibilitetin dhe subjektivitetin e këtij sistemi”, shprehet Miftaraj.

Miftaraj i referohet procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili është kontestuar nga organizatat vendore, si dhe nga ambasadat e SHBA-së e Gjermanisë dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kontestimi është bërë pasi organizatat që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes, kanë thënë se vlerësimi i kandidatëve nuk ka qenë real dhe se në procesin e intervistimit ka pasur trajtim të pabarabartë të kandidatëve.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka propozuar më 6 prill Blerim Isufajn për kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin e tij ose jo do ta marrë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Prokuroria thotë se ngriti akuza të rëndësisë së veçantë

Pavarësisht kritikave që japin organizatat joqeveritare për punën e Prokurorisë së Shtetit, ky institucion thotë se gjatë vitit 2021 ka ngritur aktakuza “të një rëndësie të veçantë”.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Prokuroria e Shtetit përmend si sukses aktakuzën për rastin e njohur si ‘Gylenistët’ – kur autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe dëbuar në Turqi disa shtetas turq, nën dyshimet se kanë pasur lidhje me një organizatë që Ankaraja e konsideron terroriste – pastaj aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare kundër ish-ministres së Drejtësisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, e të tjera.

Prokuroria thotë se i merr shumë seriozisht të gjeturat e DASH-it, duke shtuar se “po punon për rritje të efikasitetit dhe performancës së prokurorëve në trajtimin e veprave penale”.

Sipas Prokurorisë së Shtetit, prokurorët gjatë vitit të kaluar kanë zgjidhur gjithsej 12 lëndë të krimit të organizuar dhe 793 lëndë të korrupsionit.

Organizatat që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin se gjykatat shqiptojnë dënime të ulëta për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në veçanti kur të përfshirët janë persona të profilit të lartë.

Në këtë pikë, Prokuroria e Shtetit thotë se është përpjekur vazhdimisht që të apelojë vendimet e gjykatave, në rastet kur është konsideruar se dënimi ka qenë i ulët në krahasim me veprën penale për të cilën është akuzuar i dënuari.

“Nëpërmjet përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, Prokurori i Shtetit ka ftuar një numër të konsiderueshëm të rasteve të profilit të lartë në Gjykatën Supreme të Kosovës, ku e njëjta ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë kanë vendosur gabimisht në favor të të pandehurve”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Shtetit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Vonesat në trajtimin e rasteve

Për të argumentuar mosndëshkueshmërinë e personave të profilit të lartë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka veçuar një rast penal ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Buja është akuzuar për transferim të paligjshëm dhe shpronësim të pronave komunale te një kompani private dhe keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar – vepra këto të kryera në periudhën 2008-2010.

Gjykata e shkallës së parë e ka shpallur dy herë fajtor, por për shkak të vonesave në trajtimin e rastit, Buja i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit me burgim.

DASH-i, po ashtu, ka përmendur rastin e ish-ministrit të Bujqësisë nga komuniteti serb, Nenad Rikallo, dhe të shtatë zyrtarëve të tjerë, të cilët janë akuzuar për shpërdorim të detyrës.

Ata janë dyshuar për manipulim të granteve të Ministrisë së Bujqësisë, duke ndarë qindra mijëra euro për kompanitë në pronësi të bashkëpunëtorëve të tyre politikë. Ky rast edhe sot është duke u trajtuar.

Një rast tjetër që ka marrë vëmendjen e publikut në Kosovë është ai që njihet si “Veteranët”. Ky rast ka përfunduar me lirimin e 12 prej të akuzuarve kryesorë – pjesa më e madhe e tyre profile të larta publike, si: ish-kryeministër, ministra, deputetë, kryetarë komunash, si dhe udhëheqës të institucioneve tjera të Kosovës.

Të gjithë ata janë liruar nga akuzat për manipulim të listave të veteranëve të luftës, ndërsa arsyetimi i gjykatës ka qenë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk ka mundur të vërtetojë saktë dhe në mënyrë të plotë se në bazë të cilit ligj është bërë kategorizimi i veteranëve.

Më herët, pa dënime kanë shpëtuar edhe të akuzuarit në rastin e njohur si “Pronto”.

Të 11 të akuzuarit, në mesin e tyre ish-kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, dhe ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, janë shpallur të pafajshëm për akuzat se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare, duke bashkëpunuar ndërmjet vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme personave që kanë konkurruar në funksione të rëndësishme publike.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në vitin 2016, pasi në mediat e Kosovës janë publikuar disa përgjime të të akuzuarve.

MD-ja: Prokuroria dhe Gjyqësori të flasin vetë për dështimet

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës (MD) për konstatimet e raportit të DASH-it.

Por, në MD kanë thënë se “ndjekja penale, hetimi, akuzimi dhe zhvillimi i procesit gjyqësor deri te nxjerrja e një vendimi gjyqësor, janë përgjegjësi dhe kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor, respektivisht institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe gjykatave të rregullta në Republikën e Kosovës”.

Duke mos dashur të komentojnë punën e sistemit të drejtësisë, në MD kanë thënë se mbeten të përkushtuar në hartimin e legjislacionit dhe mekanizmave, për të siguruar një sistem gjyqësor dhe prokurorial profesional, efikas dhe me integritet.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar koment edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, mirëpo ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti./REL/

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit