Emmanuel Macron pritet të shpallë kryeministrin e ri në ditët në vijim, pasi do të fokusohet në zgjedhjet legjislative në qershor, pas fitores së tij ndaj Marine Le Pen në balotazhin presidencial të dielën e 24 prillit.
Kryeministri Jean Castex ka thënë se do të japë dorëheqjen së bashku me qeverinë, duke i dhënë mundësinë Macron-it të zgjedhë një fytyrë dhe ekip të ri për mandatin e tij të dytë pesëvjeçar në detyrë.
Analistët sugjerojnë se Macron mund të emërojë Élisabeth Borne, ministren e Punës, si kryeministre, vetëm gruan e dytë në Francë që mban këtë post.
Të tjerë që pretendohen për “Hôtel de Matignon” – rezidenca zyrtare e Kryeministrit të Francës – përfshijnë ministrin e Financave, Bruno Le Maire, ministrin e Brendshëm, Gérald Darmanin, ose ministrin e Bujqësisë, Julien Denormandie.
Edhe përpara se Macron të rizgjidhej si president të dielën, vëmendja ishte kthyer në ciklin e ardhshëm elektoral.