Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizata të tjera, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës, kanë vendosur kurora me lule para përmendores së personave të zhdukur.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe disa ministra të kabinetit qeveritar.
Bajram Qerkini, nga shoqata “Zëri i Prindërve”, tha se edhe pas 23 vitesh të pagjeturit nuk harrohen. Ai ka kërkuar që të solidarizohen me familjarët e të pagjeturve, duke e ndalur një dritë tre minuta.
“Është mirë që pas 23 viteve nuk po harrohen edhe 1612 veta, të cilët i kemi ende të pagjetur. Nuk po harrohen edhe familjet të cilat janë gjithmonë duke qarë dhe duke i kërkuar më të dashurit e tyre, nuk po harrohen edhe ata që nuk po na thërrasin o hajde merrna e ne jemi ata që nuk po dimë ku janë. Një apel një kërkesë që e kemi pas tash një vit të ndalin një dritë tre minuta sot po e them ju kisha lut të gjithë ata që po na dëgjojnë e s’po na dëgjojnë le të mendojnë një sekondë për familjarët të cilët e kanë zemrën pashëruar, shpirtin duke qarë shpesh herë edhe me lot e me gjak. I kisha lut të thonë o zot ndihmoju këtyre njerëzve dhe bëni më të vetëdijshëm vendorët e ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të pagjeturve”, tha Qerkini.
Ai pati kritika edhe ndaj ndërkombëtarëve, për të cilën tha se për mbi 20 vjet nuk e kanë zgjidhur problemin e të pagjeturve.
“I vetmi shans na ka mbetur se mediat mund të na ndihmojnë. Unë jam duke folur edhe më ndërkombëtarët edhe me vendorët, Brukseli nuk po do të na zgjidhë problemin e janë duke e zvarrit problemin me Serbinë, për shkak se nuk ka shanse me këtë taktikë qe 20 vjet Brukseli duke thënë merre me men do letra ngjitëse nuk po munden me marrë një vendim kështu duhet me hy veturat”, tha ai.