Oligarku, Roman Abramovich po luan një rol të rëndësishëm në negociatat për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai raportohet të ketë qenë në Kiev këto kohë, duke u përpjekur të ringjallë bisedimet për armëpushim mes dy vendeve.
Megjithëse përpjekjet e Abramovich-it deri më tani, nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, ai nuk dorëzohet.
Ruso-izraeliti është pjesë e listës së sanksioneve nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Por, duket se do të hyjë në të njëjtën listë edhe nga SHBA-të.
Ish-pronari i klubit të Chelsea u “zhduk” nga qarkullimi pas bisedimeve në Stamboll në fund të marsit, si dhe pas asaj tentative për helmim që pësoi pak kohë më parë.
Pavarësisht gjithçkaje, ai vijon punen per te zbutur marrdhenien e tensionuar mes Vladimir Putin-in dhe Volodymyr Zelenskyy-t.
Në situatën aktuale, palët duket se do e kenë shumë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët. Por, Abramovich-i e ka me nxitim dhe nuk mund të presë.
Rreth dhjetë ditë më parë ai ishte përsëri në Kiev për të folur me shefin e kabinetit presidencial, Andrei Yermak dhe me negociatorët e Zelenskyy-t. Një vizitë tejet private, aq sa zëdhënësi i manjatit rus e mohoi.
Por, vetëm katër ditë më parë konfirmimi do të vinte nga vetë Zelensky. Presidenti ukrainas tha se “Me sa di, dhe di shumë, ai është pjesë e grupit rus të negociatorëve. Ai ka qenë në Kiev”.
Problemi është se aktualisht pozicionimet e dy vendeve duken shumë të largëta. Putin, siç përsëriti dje, dëshiron të paktën njohjen e aneksimit të Krimesë dhe pavarësinë e Donbasit.
Nga ana tjetër, ukrainasit vazhdojnë të flasin për integritetin territorial të vendit të tyre dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë lëshime.