Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar Rusinë për përpjekjen për të “shantazhuar” Evropën pasi gjigandi rus i energjisë Gazprom konfirmoi se kishte ndërprerë furnizimin me gaz në Poloni dhe Bullgari.
Ajo tha se, “njoftimi nga Gazprom se po ndalon në mënyrë të njëanshme dërgimin e gazit për klientët në Evropë është një përpjekje tjetër e Rusisë për të përdorur gazin si një instrument shantazhi”.
“Kjo është e pajustifikuar dhe e papranueshme dhe tregon edhe një herë mosbesueshmërinë e Rusisë si furnizues i gazit”.
Sakaq ajo shtoi se, ata janë të përgatitur për këtë skenar. “Jemi në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare. Ne kemi punuar për të siguruar dërgesa alternative dhe nivelet më të mira të mundshme të ruajtjes në të gjithë BE-në”, vijoi von der Leyen.
Von der Leyen tha se BE-ja kishte bërë plane emergjente për një situatë të tillë dhe se bisedimet e krizës po zhvilloheshin në Bruksel.
“Shtetet anëtare kanë vendosur plane emergjente pikërisht për një skenar të tillë dhe ne kemi punuar me ta në koordinim dhe solidaritet. Një takim i grupit të koordinimit të gazit po zhvillohet pikërisht tani”, tha ajo.
Ndër të tjera ajo shtoi se, “ne po hartojmë përgjigjen tonë të koordinuar të BE-së. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar flukse alternative”.
“Evropianët mund të besojnë se ne qëndrojmë të bashkuar dhe në solidaritet të plotë me shtetet anëtare të prekura përballë kësaj sfide të re. Evropianët mund të mbështeten në mbështetjen tonë të plotë”, e përmbylli mesazhin ajo.