Udhëtarët e huaj që duan të hyjnë në Gjermani duhet të sigurohen që janë vaksinuar brenda 180 ditëve të fundit me vaksinën e fundit ose kanë marrë përforcuesin e tyre, përndryshe, vaksinimi i tyre do të konsiderohet i pavlefshëm.
Në të njëjtën kohë, të vetmet vaksina të pranuara si prova të vlefshme të vaksinimit për hyrje ne territiorin gjerman janë ato të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) madje edhe ato të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ku përfshihet edhe vaksina kineze Sinovac.
Udhëtarët që janë në tranzit në një aeroport në Gjermani po ashtu duhet të paraqesin prova të statusit të tyre Covid përpara se të mbërrijnë në vend. Kjo vlen si për tranzitin jo-Shengen nga ose drejt vendeve të treta jashtë BE-së, ashtu edhe për tranzitin nga ose drejt shteteve të Shengenit. Gjithsesi udhëtarët nuk duhet të plotësojnë formularin dixhital përpara se të udhëtojnë në Gjermani. Mjafton vërtetimi i vaksinimit, shërimit ose testit.
Gjermania së bashku me shtete si Italia, Franca apo Greqia vijojne të mbajnë masat shtrënguese në fuqi ndryshe nga shtete si Çekia, Danimarka, Hungaria, Islanda, Irlanda, Letonia, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Suedia që nuk kërkojnë asnjë dokument tjetër përveç pasaportës për udhëtarët nga shtete të treta si Shqipëria.
Është e paqartë nëse masat kufizuese do të zgjaten sërish nga qeveria gjermane apo do të hiqet pas datës 31 Maj. Nga kjo e premte do të hiqet dërgimi i mesazheve informative me tekst për rregulloret Covid-19 në Gjermani, të cilin operatorët e rrjeteve telefonike duhet t’i dërgonin në telefonat e personave që hynin në këtë shtet.
Dërgimi i SMS-ve ka patur kosto të larta mujore për operatorët telefonikë në një shumë rreth 400,000 € për të dërguar mesazhe tek udhëtarët me operatorë të huaj të telefonisë celulare.