Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër ku si pasojë është plagosur me armë zjarri Dedë Pllanaj.
Një person i cili lëvizte me motor, i është afruar, ka zbritur nga motomjeti dhe ka qëlluar 8 herë me pistoletë në drejtim të Pllanajt.
60-vjeçari në deklaratën e tij ka pohuar se nuk e ka njohur autorin pasi ishte me kaskë të zezë dhe tha se nuk ka pasur konflikt me asnjë.
“Po qëndroja ulur tek puna në karburant, në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë të zezë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pash dot fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe as arsyen”, ka thënë ai.
I plagosuri Dedë Pllanaj, është djali xhaxhait i Bardhok Pllanajt që u ekzekutua para një viti me breshëri kallashnikovi, pranë banesës së tij.
Pas plagosjes, Dedë Pllanaj është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Por për shkak të plagëve të marra, 60-vjeçari është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.