Gazment Bardhi, nga Partia Demokratike, ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, ku foli për situatën në partinë më të madhe opozitare në vend dhe Kuvendin e të shtunës së kaluar.
Ai u shpreh fillimisht se ligjërisht, vazhdon të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. “Nuk e njoh vendimin e Kuvendit, por për mua nuk ka rëndësi asnjë titull dhe nuk kam nevojë dhe nuk luftoj për tituj. Kam respektuar vendimin e shkallës së parë edhe pse nuk është i ekzekutueshëm, i bindur se vendimi i gjykatës duhet të zbatohet edhe kur ti nuk je dakord me atë vendim. Por, ligjërisht, unë vazhdoj të jem Sekretar i PD-së”.
Kuvendi
“Ashtu siç ishte paralajmëruar, ai nuk ishte Kuvend i PD dhe si i tillë nuk mund të ishte bashkues. Pjesa dërrmuese e grupit parlamentar të PD e parashikoi që ai event politik do të çonte në një përçarje të PD, ndërsa nevoja e demokratëve do të ishte të kishim një Kuvend bashkimi”.
Pse nuk mori pjesë Bardhi në Kuvend?
“Duhet të nisë një bashkim që në bazë të partisë. Ne kemi bërë thirrje për këtë. Berisha do të duhej të tërhiqej, së pari, nga ideja e tij për të përçarë PD-në dhe për të krijuar kushtet për një PD të bashkuar”.