Teatri i Operas Bolshoi në Moskë, njoftoi se do të anulojë shfaqjet e regjisorëve Kirill Serebrennikov dhe Timofey Kulyabin, që kanë folur kundër luftës në Ukrainë, sipas agjencisë AFP.
Mbrëmë, teatri i njohur rus njoftoi se në vend të tre shfaqjeve të baletit “Nureev”, i drejtuar nga Serebrennikov, audienca mund të ndjekë baletin “Spartacus” të drejtuar nga Aram Khachaturian.
Teatri prestigjioz po ashrtu njoftoi se në vend të operas komike “Don Pasquale” të Donizettit, të drejtuar nga Timofey Kulyabin, audienca këtë javë mund të shohë “Berberin e Seviljes”, të Rossinit.
Bolshoi nuk dha arsye për anulimin e shfaqjeve dhe një zëdhënëse i tha sot agjencisë AFP se ajo nuk “kishte asnjë koment zyrtar”.
Kirill Serebrennikov, 52 vjç, u lejua të largohej nga Rusia, ku ishte shpallur fajtor në vitin 2020 për vjedhje fondesh nga Qendra Gogol e Moskës. Mbështetësit e tij thonë se dënimi ishte hakmarrje për kritikat që ai kishte bërë për autoritarizm dhe homofobi të Presidentit Vladimir Putin.
Muajin e kaluar ai tha në Berlin se ndiente “tmerr, zemërim, turp dhe dhimbje”, për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Kulyabin, 37 vjeç, i cili mendohet se jeton në Evropë, po ashtu ka folur kundër vendimit të presidentit Putin për të dërguar trupa në Ukrainë.
Disa balerinë të njohur janë larguar javët e fundit nga Bolshoi, pëfshirë prima-balerinën Olga Smirnova. /VOA