Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.
Lajmin e bëri të ditur multi-mediali amerikan CNN, duke cituar një zyrtar të lartë të administratës amerikane.
Sipas tij, në takimin e liderëve të G7-ës, Shtetet e Bashkuara do të bindin aleatët që “të ndalojnë gradualisht importin e naftës ruse”.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara do të shpallin sanksionet e reja më 8 maj.
Ato kanë për qëllim ndërprerjen e mediave të kontrolluara nga Kremlini (Channel One, Russia-1 dhe NTV) nga reklamuesit amerikanë dhe teknologjitë e prodhimit.
“Ne nuk do t’i ndihmojmë ata të transmetojnë gënjeshtrat dhe mashtrimet që dëgjoni nga Putini çdo ditë”, u shpreh zyrtari amerikan për sanksionet kundër televizionit rus.
Sanksionet e reja do të përfshijnë gjithashtu rreth 2 mijë e 600 kufizime vizash për zyrtarët rusë dhe bjellorusë, si dhe sanksionet e para kundër drejtuesve të Gazprombank.
Shtëpia e Bardhë sqaron se sanksionet ndaj Gazprombank-ut vlejnë vetëm për drejtuesit e këtij institucioni financiar.