Është mësuar masa administrative që policia ka vendosur ndaj 39-vjeçarit Ajas Sulejmani, i cili një ditë më parë aksidentoi me makinë një çift dhe foshnjën e tyre vetëm 3-muajshe në vijat e bardha, ndërsa kaloi semaforin me ngjyrë të kuqe.
Mësohet se 39-vjeçari është gjobitur me një milion lekë, ndërsa i është hequr patenta për një periudhë prej 24 muajsh. Në fletën e gjobës, Sulejmani ka shkruar se nuk është dakord me konstatimin e policisë që renditi si shkelje: shkelje semafori, aksidentim të këmbësorëve, mosdhënie ndihme për të aksidentuarit, largim nga vendi i aksidentit pa njoftuar organet kompetente dhe drejtim mjeti nen efektin e narkotikeve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme kur çifti me foshnjën po kalonin vijat e bardha. Pas aksidentit të rëndë, 39-vjeçari zbriti nga makina dhe u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë në mes të rrugës familjen e plagosur. Ishin kalimtarët e rastit që i ofruan ndihmën e parë çiftit Vilma Konomi, 43-vjeçe, Arion Konomit, 48-vjeç, dhe foshnjës 3 muajshe.