Nga zhvillimi i seancës plenare të radhës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është marrë vendimi për caktimin e përkohshëm në detyrë për drejtuesit e Prokurorive të Gjirokastrës, Shkodrës dhe Pukës.
“Mbledhja ka vijuar me miratimin unanim të projekt-akteve për tre (3) caktime të përkohshme në detyrën e Drejtuesve të zyrave të Prokurorive në gjykatat përkatëse si më poshtë;
“Zoti Julian Çafka, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Zoti Lazër Çardaku, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër. Zoti Pierind Çukaj, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë”, njofton KLP.
Më tej, me vendim unanim të anëtarëve të pranishëm, është marrë vendimi për të caktuar në detyrë, me kohë të plotë, Drejtuesit e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë dhe Vlorë.
“Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, janë miratuar unanimisht, dy (2) projekt – aktet për caktimin e drejtuesëve të zyrave të Prokurorive përmes procedurës me ngritje në detyrë. Përmes kësaj procedure janë caktuar zoti Durim Bedini, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë dhe zoti Aurel Zarka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”, njofton KLP.