Një paradë e fitores, në një çast të humbjes.
Asgjë e re nga retorika e Vladimir Putinit, asnjë veprim i shtuar ushtarak i lajmëruar, trajektore e ngjashme e operacionit ushtarak me zhvendosje në lindje të Ukrainës dhe një simbol nazist për të denazifikuar Kievin fqinj.
Kjo ishte parada tradicionale e 9 majit në Moskë, si kremtim i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të rënëve rusë në luftë.
Por vëmendjen nuk e tërhoqi as artileria e shpalosur në sy të moskovitëve, as fjalimi i vakët i Putinit e as dyndja e njerëzve në Sheshin e Kuq.
Vëmendjen e rroku Z-ja, e cila qe e pranishme edhe në një paradë martirësh.
Njerëzit kishin të veshur stemën Z, e cila u bë simbol (për keq) i agresionit rus në Ukrainë.
Vetëm svastika e keqpërdorur nga Hitleri, është sot e krahasueshme me të, sa u përket qasjeve spastruese e pro-luftë.
Vetë avionët ushtarakë rusë, kishin kryer manovra të ndryshme në formacione Z dhe kështu u përqasën përpara publikut.
Pavarësisht përpjekjeve për ta limituar në kulm këtë simbol, Kremlini nuk ia arriti tërësisht.