Gjatë një bisede me studentët e universitetit të hënën, ish-trajneri i Italisë, Marcello Lippi kujtoi kohën kur i udhëzoi lojtarët axurr të hiqnin pantallonat e shkurtra gjatë një seance stërvitore, në mes të rrugëtimit të tyre në Kupën e Botës 2006.
Incidenti ndodhi pak para gjysmëfinales kundër Gjermanisë, të cilën Italia e fitoi 2-0 në kohën shtesë. Lippi kishte dashur të largonte kështu fotografët, që ai dyshonte se po spiunonin stërvitjet e ekipit të tij.
“Në mëngjesin e gjysmëfinales me Gjermaninë, ne po bënim nxehjen pranë Dortmundit, kur pashë disa shkrepje drite që vinin nga pemët aty pranë, – kujton ai, sipas “Football Italia”. – Unë dyshova se disa fotografë po fshiheshin dhe po përpiqeshin të merrnin informacione të brendshme mbi taktikat tona.
Kështu, iu thashë lojtarëve të mi për këtë, u kërkova që të gjithë të rreshtoheshin me shpinë nga pemët dhe me urdhërin tim, të përkuleshin dhe të hiqni pantallonat e shkurtra. Ata e bënë këtë dhe të gjithë qeshëm.
Fakti që nuk u publikua asnjë fotografi tregon se nuk kishte fotograf, por të paktën ne u argëtuam, një element i domosdoshëm për një skuadër fituese. Vetëm cilësia teknike nuk mjafton, nëse nuk keni harmoni brenda grupit.Trajneri më i mirë nuk është më kompetenti, por ai që mund të krijojë shpirtin më të mirë të ekipit”.
Po cila ishte ecuria e Italisë në Kupën e Botës 2006? Axurrët hyri në turne pa fituar që nga viti 1982. Ata përfunduan në krye të Grupit E, përpara se të mundnin Australinë në 16-she, Ukrainën në çerekfinale, Gjermaninë në gjysmëfinale dhe Francën në finale.