Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin deklaroi se Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi mund të përjashtohen nga Liga e Kampioneve, pasi tri klubet e njohura europiane vazhdojnë të këmbëngulin me projektin e Superligës.
Tentativa e tyre vitin e kaluar dështoi, por dy klubet e La Liga-s dhe ai i Serie A ende e mbështesin idenë. Një gjykatë madrilene ka autorizuar institucionin numër 1 të futbollit europian që të sanksionojë tri klubet e Ceferin shprehet se do të veprohet pasi të përfundojë procesi i apelimit.
“Së pari, vendimi mund të apelohet. Kur procesi të përfundojë, ne mund të veprojmë. Ka mundësi që të ndëshkojmë çdo klub. Disa dyshojnë. Ata e kanë gabim. Besomëni ose jo, të gjitha klubet trajtohen njëlloj edhe nëse janë nga Sllovenia, vendi im apo nëse janë emra të mëdhenj në futbollin europian. Sigurisht që është e mundur të përjashtohen Real, Barca e Juve nga kompeticionet. Por ky është vendimi i Komitetit Disiplinor të UEFA-s, që është i pavarur”.
Ceferin e pranoi edhe se koncepti fillestar i UEFA për t’i dhënë dy vende ekstra në Ligën e Kampioneve nga 2024 e në vazhdim, ekipeve me koeficientët më të lartë, ishte një gabim në gjykim.
Qeveria e futbollit me qëndrimin e ri vendosi se dy vende shtesë, do t’ jepen shteteve që kolektivisht u paraqitën më mirë në Europë.