Finlanda është një hap më pranë anëtarësimit në NATO, pasi Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja, Sanna Marin me anë të një deklarate shprehën qëndrimin e tyre se janë pro anëtarësimit në aleancën ushtarake, një veprim ky që tregon një ndryshim të madh të politikës së këtij vendi pas agresionit rus në Ukrainë.
“Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes”, theksohej në deklaratën e përbashkët të presidentit dhe kryemiminstres së Finladës.
“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesa”, theksohej më tej në deklaratë.
Kremlini reagoi duke thënë se lëvizja e Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n nuk do të ndihmojë stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. Finlanda ndan një kufi tokësor prej 1,340 kilometrash me Rusinë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “përgjigja e Rusisë ndaj kësaj lëvizjeje do të varet nga hapat specifikë që NATO do të ndërmarrë për të sjellë infrastrukturën e saj ushtarake afër kufijve rusë”.
Njoftimi i Helsinkit erdhi një ditë pasi kryeministri britanik Boris Johnson vizitoi Finlandën dhe Suedinë për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak.
Mbretëria e Bashkuar u zotua të mërkurën se do t’i vijë në ndihmë Suedisë dhe Finlandës nëse dy vendet nordike sulmohen.
Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, në 24 shkurt, Finlanda dhe Suedia nisën diskutimet të braktisin neutralitetin e tyre historik pas dekadash dhe t’i bashkohen NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake do të mirëpresë me krahë hapur Finlandën dhe Suedinë, që të dyja kanë ushtri të forta moderne dhe se pret që procesi i anëtarësimit të jetë i shpejtë dhe i qetë.
Zyrtarët e NATO-s thonë se “procesi i pranimit i dyshes nordike mund të bëhet brenda disa javësh”./VOA