“Importuesi më i madh i gazit rus në Gjermani e ka paguar gazin rus në rubla, çka e vërtetojnë provat që pamë këtë mëngjes”, ka deklaruar kryeministri italian, Mario Draghi, në një konferencë për shtyp.
Në të njëjtën kohë, sipas “Bloomberg”, një përfaqësues i kompanisë gjermane “Uniper SE” – blerësi më i madh i gazit rus në Gjermani – tha se “kompania nuk ka bërë asnjë pagesë sipas skemës së re, pasi periudha e pagesës skadon në fund të majit”.
Më herët të mërkurën, “Uniper” u sigurua se kompania do të ishte në gjendje t’i ruante furnizimet me gaz pa shkelur sanksionet.
Kryeministri italian gjithashtu tha se kompanitë evropiane do të jenë në gjendje të paguajnë për gazin rus në rubla, pa shkelur sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës.
“Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare se çfarë saktësisht do të konsiderohet shkelje e sanksioneve. Askush nuk ka thënë ndonjëherë nëse pagesat në rubla do të shkelin sanksionet apo jo. Kjo është një zonë kaq gri”, tha Draghi.
Një interpretim i tillë dallon dukshëm nga pozicioni i përshkruar më herët në Bashkimin Evropian.
Në fund të prillit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se, “shpjegimi ynë është shumë i qartë: nëse nuk parashikohet nga kontrata, atëherë pagesat në rubla janë shkelje e sanksioneve”.
Skema me hapjen e dy llogarive – valutës dhe rubla – në “Gazprombank”, siç kërkoi presidenti rus Vladimir Putin, konsiderohet edhe nga BE-ja si në kundërshtim me sanksionet e vendosura ndaj Moskës