Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Etien Kapo pati një seancë pa telashe përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të enjten më 12 maj. Gjatë relatimit nuk u konstatuan probleme të pasurisë dhe figurës, ndërsa Kapo u shpreh dakord me të gjitha gjetjet e hetimit administrativ.
Procesi i vetingut për prokurorin Kapo po kryhet nga trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Etien Kapo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Prej një viti ai e ushtron detyrën në Prokurorinë e Apelit Durrës.
Relatorja Valbona Sanxhaktari deklaroi në seancë se prokurori Kapo dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve.
Për një apartament me sipërfaqe totale 128.6 m2 në Selitë të Tiranës, të porositur në vitin 2007 kundrejt çmimit 85 mijë e 764 euro, subjekti ka deklaruar si burime 85 mijë euro të dhuruara nga babai i bashkëshortes dhe pjesën tjetër nga kursimet e tyre.
Sanxhaktari deklaroi se Kapo i ka deklaruar këto burime në deklaratën e vitit 2007 dhe në atë veting. Komisioni ka verifikuar mundësinë financiare të vjehrrit të subjektit për dhurimin e shumës 85 mijë euro në 2007-ën. Sipas relatores, nga hetimi ka rezultuar se ai ka qenë aksioner në një shoqëri dhe se ka ndarë divident në vlera të konsiderueshme që e mbulojnë vlerën e dhuruar.
Po ashtu, ka rezultuar se babai i bashkëshortes ka tërhequr shuma të konsiderueshme nga llogaritë e tij bankare në periudhën kur është deklaruar se është dhënë vlera 85 mijë euro.
Kapo u pyet në seancë përse dhuruesi kishte kryer në vitin 2009 deklaratë para noterit për dhënien e kësaj shume dhe jo në kohën e dhurimit. Subjekti shpjegoi se kjo deklaratë ishte kryer pasi ishte pyetur nga ILDKPKI lidhur me dhurimin. Ai theksoi se pavarësisht se deklarata noteriale ishte kryer nga vjehrri në vitin 2009, ai e kishte pasqyruar shumën e dhënë në deklaratën periodike të vitit 2007.
Komisioni konstaton se Kapo ka pasur burime të ligjshme dhe për mbulimin e shpenzimeve për rikonstruksionin e ballkonit në vitin 2008 në shumën 500 mijë lekë dhe për krijimin e një depozite në vlerën 883 mijë lekë.
Po ashtu ka rezultuar se ka pasur mundësi financiare për blerjen e një automjeti tip ‘Scoda’ për çmimin 15 mijë e 150 euro, si burim krijimi të së cilës ka deklaruar shitjen e dy automjeteve të tjera dhe të ardhurat nga pagat mujore.
Sanxhaktari sqaroi se nga hetimi ka rezultuar se Kapo ka qenë bashkëkredimarrës me të atin në vitin 2013, si dhe i ka dhuruar një personi të afërm një ngastër tokë-arë me sipërfaqe 960 m2 në Linzë në vitin 2005 që e kishte fituar dhe vetë me dhurim në 98-ën – gjetje për të cilat nuk u konstatuan probleme.
Sipas KPK, nga analiza financiare e përgjithshme, nuk kanë rezultuar pamjaftueshmëri financiare gjatë gjithë periudhës së rivlerësimit, përfshi edhe para vitit 2003 kur nuk kryhej deklarimi në kriterin e pasurisë.
Prokurori Kapo mori vlerësim pozitiv edhe për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional. Sipas Komisionit, Kapo ka respektuar gjithmonë afatet në kryerjen e hetimeve.
Relatorja Sanxhaktari konstatoi se në vitin 2002 ndaj subjektit ishte dhënë një masë vërejtje, por që ishte hequr tre muaj më vonë. Për një kallëzim të kryer në Prokurorinë e Durrësit ndaj subjektit me pretendimin se ai nuk kishte kryer hetimet e nevojshme në një çështje penale, është vendosur mosfillimi i procedimit.
Në seancë u relatua se Kapos i janë kërkuar shpjegime për dy prej denoncimeve të kryera nga publiku. Sipas Sanxhaktarit, çështjet i përkasin vitit 2019 dhe janë ende në shqyrtim
Subjekti u pyet nga Sanxhaktari dhe vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler lidhur me një prej denoncimeve, nga rezultonte se ai kishte apeluar një vendim të gjykatës së shkallës së parë që kishte rrëzuar vendimin e pushimit të tij. Kapo sqaroi se bëhej fjalë për një aksident rrugor ku kishte vepruar duke kryer gjithë veprimet hetimore, kqyrjen e vendit të ngjarjes, ekspertimin mjeko-ligjor të të dëmtuarit dhe marrjen e deklarimeve të tij e të autorit.
Ai deklaroi se bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit kishte konkluduar se nuk kishte vepër penale dhe se i kishte sugjeruar të dëmtuarit t’i drejtohej gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim. Kapo shtoi se dhe i dëmtuari në kërkesën që i kishte drejtuar Byrosë së Sigurimeve për shpërblim dëmi, shprehej se ngjarja kishte qenë aksidentale.
Sipas Kapos, detyrat e lëna nga gjykata e shkallës së parë për të pyetur të dëmtuarin dhe autorin nuk mund të sillnin ndryshimin e kualifikimit të veprës penale dhe se për këtë arsye kishte kryer ankim në Apel.
Kessler e pyeti subjektin edhe për një denoncim për një çështje tjetër të hetuar prej tij, kur rezultonte që një person kishte humbur jetën. Sipas subjektit, bëhej fjalë për një rast fatkeq ku disa fëmijë kishin shkuar të peshkonin në Liqenin e Farkës dhe kishin marrë me vete një gjenerator, të cilin e kishin bashkuar me një tel zgjatues që e kishin futur në liqen. Kapo deklaroi se nga pakujdesia një prej fëmijëve kishte ndërruar jetë. Ai shpjegoi se kishte ngritur akuzë dhe kishte dërguar çështjen në gjykim, duke kërkuar edhe fajësi sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Në përfundim, prokurori Etien Kapo falënderoi trupën e Komisionit për hetimin administrativ të kryer në rivlerësimin e tij. Ai deklaroi se ishte dakord me të gjitha gjetjet për të cilat kishte dhënë përgjigje edhe me shkrim dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 13 maj, në orën 15:00./BIRN