Raundi i parë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit u dogj pa emra. Asnjë nga palët nuk dorëzoi kandidatura. Kjo bëri që mbledhja e komisionit të ligjeve të zhvillohej sa për formalitet, por që nuk munguan debatet.
Dështimin për djegin e raundit të parë, Enkelejd Alibeaj ia faturoi shumicës. Por socialistët i cilësuan teka kërkesat e opozitës.
“Një proces nuk mund të bllokohet nga tekat politike” tha kryetarja e komisionit të ligjeve, Bushka.
Fatmir Mediu kërkoi që të shkohet direkt te emrat. “Të lëmë retorikën, të ulemi dhe të flasim për emra konkretë. Herën tjetër të diskutojmë për kandidaturat që plotësojnë kriteret ligjore”.
Edhe Oerd Bylykbashi ishte kritik me PS-në. “Procesi duhet t’i shërbejë qëllimit. Vetëm presidenti me tagrat që ka do të bëjë një rol, relativisht të kufizuar. Procesi në parlament do të ndikojë ose përkeqësojë krizën” tha ai.