Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu në cilësinë e kreut të Aleancës për Ndryshim ka zbuluar emrin e parë që propozon opozita për Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë.
Ai u shpreh se ka diskutuar me kreun e PAA Agron Duka, ku kanë shprehur emrin e Dashamir Shehit si personin e duhur për të ardhur në krye të shtetit.
“Racionalja do kërkonte një kandidat të përbashkët. Ne si opozitë duhet të jemi të afruar për të krijuar mes veten marrëdhënie konsensuale pastaj ta ndërtojmë me palën tjetër. Ne kemi filluar të diskutojmë edhe për emrat. Unë kam diskutuar me Agron Dukën dhe kemi propozuar emrin e mikut tonë Dashamir Shehi. Ka një histori politike por thamë edhe një herë që duhet konsensus i përbashkët”, tha Mediu për emisionin Top Talk.
Kujtojme qe mesditen e sotme pas diskutimeve të shumta mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që kjo e fundit të sjellë emrat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në diskutimet mes kreut të grupit të partisë Socialiste Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeajt është rënë dakord që deri në raundin e tretë propozimet për emrin e ri të presidentit t’i sjellë opozita. Sipas Alibeajt, këtë të drejtë ua jep Kushtetuta dhe jo mazhoranca ndërsa Balla theksoi se opozita të konsultojë emrat dhe t’i sjellë për diskutim.