Dy persona, pacientja dhe infermieri i QSUT-së u plagosën mbrëmjen e së dielës pasi ashensori që po zbrisnin u këput. Prokuroria ka nisur hetimet për mirëmbajtjen e ashensorit që rrezikoi jetën e pacientit dhe infermierit.
Në gjendje të lirë janë proceduar administratori dhe tekniku i firmës “Sulollari Klima” që kanë fituar tenderin 14 milionë e 500 mijë lekë (të rinj) me TVSH për mirëmbajtjen e ashensorëve në QSUT.
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut nga konstatimi që bëri deklaroi se ashensori nuk ishte i regjistruar. “Ashensorit i është bërë vetëm ekzaminimi fillestar nga një organ i miratuar, por nuk është bërë regjistrimi i tij pranë Inspektoratit” deklaroi ISHMT.
Por si mundet që një kompani që ka fituar tenderin për mirëmbajtjen të mos e regjistronte ashensorin, aq më tepër që bëhet fjalë për një institucion jo të zakonshëm?
“5pyetjet.al” kontaktoi me administratorin e firmës së ashensorëve, 52-vjeçarin Ardian Sulollari që sipas policisë po hetohen bashkë me teknikun në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Sulollari hoqi përgjegjësinë duke deklaruar se nuk është firma përgjegjëse për regjistrimin e ashensorëve. “Unë jam vetëm për mirëmbajtjen e ashensorëve. Nuk është në përgjegjësinë time fare, por atij që e ka shitur. Regjistrimin duhet ta bënte ai që e ka shitur” deklaroi administratori i firmës “Sulollari Klima”.