Aleatët perëndimorë kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj individëve dhe disa pjesëve të ekonomisë ruse pas agresionit të paprovokuar të Kremlinit ndaj Ukrainës. Por një pjesë e madhe e ekonomisë ruse po ecën mirë. Pavarësisht sanksioneve që po godasin pjesën më të madhe të ekonomisë ruse, vendi po siguron shuma të mëdha parash përmes sektorit të pasur energjitik. Kjo, pasi eksporti i naftës është prekur shumë pak.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Ben Cahill, analist për sektorin e energjisë dhe klimës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Shumë analistë ashtu si dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë prisnin që Rusia të kishte një humbje të kapaciteteve prodhuese të naftës prej 2-3 milionë fuçish në ditë, por kjo nuk ndodhi. Ka të ngjarë që humbja të jetë 1 milion fuçi në ditë. Jemi në atë pikë kur zyrtarët evropianë ngrenë pyetjen se çfarë duhet bërë më tej. Si mund ta shtojmë trysninë ekonomike ndaj Rusisë? Sepse gjërat nuk po funksionojnë.”
Sanksionet perëndimore kanë bërë që Moska të hakmerret, çfarë ka shtuar thirrjet në Evropë për burime alternative energjitike. Në Francë, fermerët po prodhojnë lëndë djegëse nga fermentimi i mbetjeve nga të korrat dhe produkte të tjera bujqësore për të furnizuar me energji disa qindra apo mijëra shtëpi. Në Portugali, një rrjet panelesh diellore sa katër fusha futbolli është përpjekja e fundit për të hequr dorë nga karburantet.
Zëvendëskancelarja e Gjermanisë akuzoi së fundmi Rusinë se po e përdor naftën si mjet lufte. Megjithatë, çmimet vazhdojnë të rriten. Çka do të thotë se edhe pse po shet më pak naftë, Rusia po fiton më shumë para.
“Është paradoksale. Sa më shumë të shtohen përpjekjet për ta bllokuar naftën nga tregu, aq më i madh do të jetë ndikimi i çmimit të naftës tek vendet që importojnë energjinë ruse. Dhe kjo është një dhimbje ekonomike që politikbërësit evropianë mund të jenë të gatshëm ta tolerojnë. Por, nuk mund të përpiqesh ta largosh nga tregu eksportuesin më të madh të naftës në botë pa patur ndikim ekonomik. Dhe është një ndikim global”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Ben Cahill me Qendren për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Kjo ka tendosur më tej zinxhirët e furnizimit global. Kostoja e naftës po dëmton rëndë shoferët e kamionëve që transportojnë pothuajse gjithçka blihet në treg. Analisti Ben Cahill thotë se disa sanksione të propozuara nga BE-ja mund ta dëmtojnë rëndë Rusinë.
“Nëse ndërpret siguracionet për transportin, do të thotë se asnjë transportues i mallrave ruse nuk mund të sigurohet. Kjo përbën një rrezik të madh në rast të aksidenteve të çisternave pasi nuk kanë siguracion për t’u mbrojtur”.
Ndërsa Evropa përballet me probleme energjitike, analisti thotë se Rusia ka qënë disi me fat, duke shitur naftë në Indi dhe Kinë, por shpesh me çmime të ulta, rreth 30 dollarë për fuçi nën vlerën e tregut. /VOA