Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka përshëndetur goditjen e tetë grupeve kriminale mëngjesin e 19 majit, nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme.
“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe SPAK për punën hetimore dhe operacionale, e cila vijon për ekzekutimin e plotë të 32 masave të sigurisë ‘arrest me burg’”, thuhej në njoftimin nga Çuçi.
Çuçi në deklaratën e tij thekson se nuk ka kompromis me krimin e organizuar. Si dhe asnjë kompromis as me punonjësit e policisë që nuk kryejnë detyrën në luftën e vazhdueshme me krimin apo në rastin më të keq bëhen palë me të.
“Do t’i presim rrugën së keqes kudo ajo shfaqet e në çdo kohë, për një Shqipëri më të sigurt e ku së bashku ndërtojmë të ardhmen tonë”, ishte mesazhi përmbyllës i deklaratës së Çuçit.
Më herë Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shteti, Gledis Nano, pasqyruan detajet e këtij aksioni.
Kraja tha se nga hetimet u zbulua një rrjet i gjerë kriminal, ku kanë qenë të përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme.
Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK-u nisi një aksion në disa qytete të vendit. Operacioni i Policisë ka vijuar në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier.