SPAK u vlerësua nga qeveria për operacionin e fundit “Golden Bullet”, por edhe kritikat ishin të shumta, veçanërisht nga radhët e opozitës.
SPAK lëshoi 32 urdhërarreste pas rrëfimit të Nuredin Dumanit, por u ekzekutuan vetëm 18 prej tyre. Berisha akuzoi SPAK se operacioni është dekonspiruar.
Ndërkohë, ka reaguar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila njofton se ka nisur verifikimet nëse ka pasur dekonspirim të këtij operacioni.
REAGIMI I AGJENCISE
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.
Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.