Ditën e sotme në media qarkulloi lajmi se ish-kryeministri Fatos Nano është në gjendje të rëndë në spital, pasi vuan nga ceroza në mëlçi. Për të mësuar mbi gjendjen e liderit historik të së majtës shqiptare, “5pyetjet.al” kontaktoi me bashkëshorten e tij, Xhoana Nano, e cila nuk pranoi që të fliste. “Më falni, por në këtë moment nuk jam e disponueshme” tha ajo. Ende nuk dihet nëse Nano është i shtruar brenda apo jashtë vendit në spital. Ish-kryeministri Fatos Nano ishte raportuar në gjendje jo të mirë shëndetësore edhe një vit më parë. Më 28 maj 2021 ai u paraqit në një spital në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa në pamjet e publikuara Nano shihej të dilte nga makina e tij, i shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana Nano.
Në pamundësi për të ecur në këmbë, Nano, që mbante edhe një maskë mbrojtëse ndaj COVID, u mor me një karrocë me rrota për t’u futur në spital. Tre ditë më pas, ai u pa në Rinas, ku priste të nisej jashtë vendit, ndërsa rojet e tij ndaluan kamerat e pranishme të merrnin pamje të ish-kryeministrit që kishte vështirësi në lëvizje. Në të gjitha rastet kur është përfolur për gjendje të rëndë shëndetësore, Nano i ka përgënjeshtruar, duke u shprehur se ishte “si kokrra e mollës” dhe duke fajësuar mediat për spekulime. Fatos Nano, ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë në vitin 1991, kur vendi sapo kishte dalë nga diktatura komuniste dhe më pas në vitet 1997-1998 dhe 2002-2005, kur pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e 3 korrikut dha dorëheqjen nga drejtimi i PS-së dhe u largua nga skena politike.
Lideri historik i socialistëve, megjithatë, nuk hoqi dorë dëshira për të qenë figurë aktive, duke tentuar të zgjidhej president, siç është edhe propozimi më i fundit për të zëvendësuar presidentin në largim, Ilir Meta. Ai mbetet një figurë e dashur e të majtës dhe nuk ka munguar të mbështesë partinë që drejtoi për shumë vite, edhe nga burgu, ku u fut në vitet 1993-1997, nga rivali i tij politik, Sali Berisha, me akuzën për shpërdorim të ndihmave italiane për Shqipërinë, në vitin 1991. Herën e fundit, në shkurt 2021, përpara zgjedhjeve të 25 prillit, ai doli në një emisionin televiziv dhe ofroi mbështetjen e tij për mandatin e tretë të Edi Ramës.