Anthony Albanese u zgjodh sot kryeministër i Australisë. Sapo lajmi mori dhenë në trevat shqiptare filloi zhurma për origjinën e tij nisur nga mbiemri.
A ka Albanese prejardhje shqiptare? Anthony Albanese është i biri i Carlo Abanese-s nga Barleta e Italisë dhe Maryanne Ellery, australiane me prejardhje irlandeze.
Qyteza Barleta shtrihet në jug të Italisë, në rajonin Apulia. Aty jeton një komunitet i madh i arbëreshëve. Besohet se nga ky komunitet e ka prejardhjen edhe babai i politikanit australian.
Një shenjë e fuqishme për prejardhje arbëreshe është mbiemri “Albanese”, që nga italishtja në gjuhën shqipe do të thotë “shqiptar”.
Studiuesi Sazan Guri në këtë pikë nuk ka dyshime. Ai është i bindur se Anthony Albanese është shqiptar. “Është e sigurt. E sigurt që ka origjinë shqiptare. Vetëm një shqiptar hipën në maja.
Është mision i shqiptarëve. Nuk është rastësi. Kemi pasur 700 heronj në Rumani, po në Serbi, Konti nga Himara, po këta në Greqi, kryengritja shqiptare” tha ai për “5pyetjet.al”.
Guri bazohet te mbiemri i kryeministrit australian dhe emri i qytetit Barleta, që është origjina e babait të tij.
“Barleta, është e bardhë, Marin Barleti, Marini, Bardhi. Fjala i bardhë, janë emra tipik pellazg, Ilir. Edhe Barleta, rrënja është e bardhë” theksoi ai.
Gjatë bisedës, Guri, kandidat i vetëshpallur për President, tha se dje dorëzoi CV-në bashkëgjitur me dokumentet e tjera si kandidat për President, por i mungojnë firmat e deputetëve për të qenë propozim zyrtar.
Pavarësisht kësaj ai beson. “Dje dorëzova dokumentet në Kuvend, 150 faqe CV, dorëzova edhe firmat e rrjeteve ambientale, që më mbështesin. Dje ishte afati i fundit. Unë jam i vetmi ligjor që kam çuar letrat“.
Po 20 firmat e deputetëve? “Jo. Nuk është e thënë. Çfarë më duhet deputeti, pse Moisiu mori 20 firma? Ishte duke gjuajtur peshk.
I thanë hajde, ai tha po zë peshk, ata i thanë, hajde ore” përfundoi ai. Të hënën është raundi i dytë në parlament për zgjedhjen e Presidentit.