Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka thënë se ajo që po ndodhë në Buça (Ukrainë) është inskenim i njëjtë sikurse në Reçak (më 1999, në Kosovë).
“Përpjekjet për të rishkruar dhe mohuar historinë e mirë-dokumentuar të masakrës së Reçakut lavdërojnë krimet e luftës, çnderojnë kujtimin e të vdekurve dhe rihapin plagët e të mbijetuarve. Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë përparimin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar në Twitter ambasadori Hovenier.
(1/2) Attempts to rewrite & deny the well-documented history of the Recak massacre glorifies war crimes, dishonors the memory of the dead, and reopens the wounds of survivors. https://t.co/yv30XTSivW
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 27, 2022
Ministri i Punëve të jashtme i Federatës Ruse, Sergei Lavrov, në një intervistë për një media ruse, e kishte përshkruar situatën në Buça të Ukrainës si inskenim, që sipas tij, është i ngjashëm me masakrën në Reçak, ku forcat serbe vranë 45 civil shqiptarë.
“Në të njëjtën mënyrë kjo ishte bërë edhe më 23 prill në Buça, afër Kievit. Është skema e njëjtë. Kjo funksionon, pavarësisht se a e bind dikë ose jo. Ata nuk kishin pse ta bindnin askënd. E bombarduan Jugosllavinë. Formuan Kosovën e pavarur, duke thyer të gjitha parimet e OSBE-së. Vetëm thanë: kështu do të jetë”, ka thënë Lavrov.
Më 22 prill, Kombet e Bashkuara kanë thënë se veprimet ruse në Ukrainë, që kanë përfshirë ekzekutim të civilëve, po shtojnë krimet e luftës.
Tërheqja e forcave ruse nga qyteti Buça dhe në qytetet tjera pranë Kievit ka zbuluar prova tronditëse të vrasjeve brutale, torturave, varreve masive dhe të shtënave pa dallim ndaj civilëve gjatë luftimeve. /REL