Çdo pranverë, banorët e komunës së Malishevës ballafaqohen me problemin e njëjtë.
Atakimi i banorëve të Malishevës dhe rrethit, nga këto insekte, ishte histori ballafaqimi në vete, duke shkaktuar edhe vdekjen.
Gjatë këtij viti janë regjistruar 267 pickime nga rriqrat, po asnjë qytetarë nuk është infektuar.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shpëtim Robaj në këtë komunë.
Afrim Krasniqi drejtor i QKMF-së në Malishevë, ka thënë për RTK se që nga fillimi i vitit në QKMF në Malishevë kanë kërkuar ndihmë 267 raste për pickim të rriqrave.
“Shumica nga ta janë nga komuna e Malishevës, por kemi edhe nga komuna te tjera që kanë kërkuar ndihmë tek ne. Fatmiresisht nuk kemi asnjë rast që ka qenë i përkeqësuar. Fatkeqësisht trendi po vazhdon po në krahasim me vitin e kaluar kemi rënie të lehte ndoshta për shkak edhe të dezinsektimit dhe fushatave vetëdijësuese”, tha ai.
Kurse drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, bëri të ditur veprimet komunale për këtë çështje.
“Komuna e Malishevës ka pasur prioritet këtë çështje ku kemi ndare 60 mije euro për dezinsektim selektiv të zonave endemike. Tash është në procedurë të prokurimit publik dhe është një ankesë dhe presim që shumë shpejt të zgjidhet dhe të fillojmë”, tha Berisha.
Lidhur me këtë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ditë më parë ka njoftuar se në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes ku me ç’rast ka kërkuar kujdes nga qytetarët duke dhënë edhe rekomandime se si të mbrohen.