Deputet i PD, Kreshnik Çollaku, komentoi në “5 Pyetjet nga Babaramo” vendimin e fundit për heqjen e të drejtës për të votuar të PD-së në Kongresin e Partisë Popullore Europiane.
Ai u shpreh se ky vendim ishte paralajmëruar edhe nga Kirschbaum. Madje, Çollaku shprehet se mund të ketë edhe përjashtim. Ai e krahasoi izolimin e PD-së me atë të Partisë Komuniste.
“Para pak ditësh kjo situatë u paralajmërua nga Kirschbaum, një mik i PD. Ai tha se nëse PD-ja do të ndjekë këtë kurs, rrezikon të pezullohet dhe më pas të përjashtohet nga PPE. Me zhvillimet e sotme duket se nuk ka qenë një qëndrim personal.
Në informacionet e pjesshme që kam unë, edhe në seancën e sotme është diskutua kriza në PD dhe pezullimi do të jetë deri në vendimin e Gjykatës së Apelit. Është një situatë e rëndë e paprecedentë.
Nuk përjashtohet, në rast se do të kemi këtë gjendje, mund të ketë edhe përjashtim. Ky është një akt shumë i rëndë. E kompromenton marrëdhënien e PD me SHBA dhe PPE-në. Kjo nuk është një qasje më ndaj një individi, por ndaj demokratëve. Kurrë nuk do ta kisha menduar se PD-ja do të izolohej në një mënyrë të ngjashme me atë të Partisë së Punës”, tha Çollaku.
“Nga kjo situatë ka vetëm një rrugë si mund të dilet. Unë mendoj se Berisha do të gjykojë në mënyrë të ftohtë, pasi faturën ta paguajë PD-ja”, tha deputeti i PD.