Na ka ndodhur të gjithëve të takojmë dikë dhe të themi me vete “ky është i duhuri”, por a keni menduar ndonjëherë sa e njihni këtë njeri përtej ndjesisë që ju shkaktoi apo tërheqjes fizike? Ndonjëherë presioni për të “rënë në dashuri” apo për të gjetur “të duhurin” na bën të neglizhojmë shumë hallka të rëndësishme për një lidhje të shëndetshme dhe afatgjatë. Njëra prej tyre është rëndësia e të qënit shokë para se të jeni të dashur. Pse duhet?
- Të qënit miq ju ndihmon ta njihni njëri-tjetrin siç jeni në të vërtetë
Duke qenë shokë para se të jeni të dashur ju keni mundësi ta shihni njëri-tjetrin në situata nga më të ndryshmet. Asnjëri s’do përpiqet të bëjë veprime për të rënë në sy apo për t’i pëlqyer tjetrit. Nuk prisni asgjë nga tjetri dhe në afatgjatë, nëse lidhja kalon në nivel tjetër do ta keni më të lehtë t’i pranoni siç janë dhe të jeni më të hapur.
Pra anën e tij të shëmtuar e keni parë shumë më herët dhe jeni të sigurtë që e pranoni siç është.
- Në një shoqëri, ka vend edhe për lloje të tjera marrëdhëniesh
Ju mund të dilni të dy me njerëz të tjerë sepse nuk ka vend për xhelozi apo posesivitet. Askush nuk detyron askënd. Me kalimin e kohës mund të zbulosh që ti ose personi tjetër ndjeni diçka më shumë. Zakonisht kur e gjeni veten të dashuruar me shokun/shoqet rrallë ndodh t’i doni për arsyet e gabuara, prandaj të tilla marrëdhënie janë edhe më të shëndetshme.
- Shoqëria ndihmon në ndërtimin e besimit
Besimi është themeli i një lidhjeje të gjatë. Kur je në gjendje t’i besosh njeriut tënd nuk ke frikëra apo pasiguri brenda vetes. Ndihesh e sigurtë në atë marrëdhënie sepse e njeh njeriun tënd dhe nuk vuan nga mendimet torturuese që të shkaktojnë ankth sa herë i kujton.
- Të qënit miq ju lejon të eksploroni më shumë bashkë
Kur jeni të lidhur keni tendencën të izoloheni me njëri tjetrin dhe gjithë kohën e shpenzoni aty. Duke qenë shokë të ngushtë lidheni edhe më tepër përmes aventurave që mund të bëni bashkë dhe në grup. Aty shihni edhe sesi ndërvepron personi tjetër në ambiente me shumë njerëz.
- Kur jeni fillimisht shokë, i arrini më shpejt objektivat tuaja
Ju ndani të njëjtat vlera, ide dhe objektiva. E shihni jetën njësoj dhe doni ta shijoni po njësoj. Kjo s’do të thotë se bini dakord për gjithçka, por parimet dhe qëllimet tuaja janë njësoj. Ndoshta kjo e ka bërë miqësinë të kthehet në dashuri.