Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka nisur nga rasti i Librazhdit për tradhtinë brenda familjes tentoi që të fajësonte Avokaten e Popullit për qëndrimin e mbajtur lidhur me ligjin që propozoi qeveria për mediat pak vite më parë të cilin OSBE e rrëzoi.
Bushka tha se lajmet raportohen pa fre dhe pyeti Erinda Ballancën se cila është zgjidhja tani, ndërkohë që asokohe kërkoi që ligji i propozuar të tërhiqet nga miratimi.
“Nuk ka fre si raportohen lajmet, gazetarët seriozë thonë që bëni diçka për këto portale. Ju keni qenë vetë që keni dhënë mendimin për ligjin për mediat audiovizive, ju thatë tërhiqeni, ne e lamë. Rasti i fundit në Librazhd. Çfarë mjetesh kemi ne sot për t’i parandaluar këto raste?
Atëherë ju keni thënë që të vetë-rregullohet me kod etik sektori, ky është ky vetë-rregullim nga lajmet denigruese dhe gjuha e urrejtjes. Sot problemet janë shtuar.
Sot dhunë ndaj gazetarëve nuk ka, por sa i takon lirisë citohet ajo nismë që u mbyll, por cenimi i qytetarëve nga gjuha e urrejtjes shtohen dhe ne jemi pa mjete” tha Bushka.
Avokatja e Popullit u shpreh se gazetarët nuk duhet të fshihen pas portaleve prej lirisë së medias dhe videon e skandalit në Librazhd e cilësoi të turpshme.
“Sa i përket ligjit për lirinë e medias, mendoj që të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm para ligjit. Nëse një person ka një portal nuk mund të pretendojë se është e drejta e tij për tu fshehur pas portalit për shkak të lirisë së medias.
Secili person nëse e shkel lirinë e medias duhet të jetë i regjistruar dhe të shkojë në gjykatë ashtu siç shkonte një gazetar që shkruante në shtypin e shkruar me emër dhe mbiemër. Ne nuk mund të jemi të papërgjegjshëm.
Është tjetër gjë të jesh i pacenueshëm, duhet të jesh i përgjegjshëm, të shkruash gjëra të vërteta, të ndash opinionin nga fakti. Gazetarët duhet të raportojnë faktin korrekt pa kufizime.
Të identifikohen personat pas portaleve, por duhet ta dinë që e kanë detyrimin që të jenë përgjegjës. Sigurisht që qeveria dhe shumë vende të tjera duhet të çojnë në gjyqe gazetarët me shumë kujdes. Qytetarët sot kanë mjete të kufizuara për këtë çështje. Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet shoqëri e dhunshme.
Unë që vitin e parë në fjalën e drejtuar Kuvendit kam deklaruar se dhuna do të sjellë një ashpërsim të gjuhës edhe në nivele të tjera te të rinjtë. Nuk jemi rritur në një ambient të tillë dhe prapë jemi bërë të dhunshëm. Vazhdon të mbetet i ulët niveli i kuptimit të tjetrit për mendimin e tij ndryshe.
Për rastin e djeshëm mendoj se është rast i turpshëm, është një rast që na tregon se duhet të marrë fund vlerësimi i personave në përgjithësi dhe grave në veçanti për shkak të seksualitetit të tyre.
Gjithçka ne jemi sipas shoqërisë shqiptare formëzohet nga seksualiteti. Unë e mirëpres që edhe ju të keni ndonjë kërkesë konkrete por marrëdhënia jonë me komisionerin është e shkëlqyer për bashkëpunimin”, tha Ballanca.