Nga Kastriot Islami
1. Në statutin e ndryshuar në 11 dhjetor 2021, PD ka pranuar ekzistencën e fraksioneve, një risi e partive politike moderne në disa vende të globit. Për të qenë realist e të saktë, këtë “ndryshim statutor” e ka futur për herë të parë PS para rreth 15 vitesh, por s’arriti ta zbatonte asnjëherë dhe për më tepër me ardhjen e Ramës në krye të PS ky “ndryshim statutor” u abrogua nga vetë Rama ndonëse ai po vetë kishte qenë një nga insistuesit për vendosjen e kësaj risie në statut, në Kongresin e PSSH që parapriu zgjedhjet e përgjithshme të 2005. Mesa duket me dorëheqjen e Nanos nga kryesimi i PSSH dhe me synimin për të kapur drejtimin e PS, Ramës s’i interesonte më një parti me disa fraksione por një parti e vendosur në rrjesht, ashtu sic ndodhi në realitet.
2. Le të kthehemi në 2022 dhe në zhvillimet në PD. Tani PD është e vetmja parti politike shqiptare që i ka pranuar fraksionet duke vendosur praninë e tyre në statut. Me këtë ndryshim mendohet që partia do të zgjerohet dhe do të bëhet “gjithëpërfshirëse e opinioneve të ndryshme”, duke synuar që ajo të hapet e zmadhohet duke garantuar “bashkëjetesën, gjithëpërfshirjen dhe solidaritetin në fraksionim”… apo thënë më ndryshe përmes “bashkëjetesës së fraksioneve” do të mund të ndërtohej një parti fituese, fraksione të cilat do të përcaktoheshin përmes votës së lirë e demokratike të anëtarësisë…
3. Nuk është më sekret që në PD ekzistojnë grupime të krijuara nga lart, dhe të drejtuara nga individë, dikur me poste të larta në PD. Militantët dhe votuesit demokratë duken të shqetësuar nga kjo “ndarje” që vjen nga lart dhe kërkojnë nga poshtë BASHKIM, si e vetmja mënyrë për të shkuar drejt suksesit në zgjedhjet e ardhshme vendore e të përgjithshme!
4. Nga një analizë e mundësive për bashki, rezultojnë disa faktorë që e favorizojnë këtë bashkim… Së pari, Berisha u zgjodh së fundmi kryetar i PD nga anëtarësia e PD, me një pjesëmarrje të kënaqshme dhe me një rezultat bindës; mbi 40 mijë demokratë votuan kandidaturën e Berishës ndërkohe që kandidati alternativ arriti të marrë rreth 7 përqind të votave, një rezultat premtues për një fraksion në PD…Së dyti këto 40 mijë anëtare të PD me shumë gjasa janë përfaqësuese të votave (e ndoshta edhe më shumë) që PD nën drejtimin e Berishës do të arrinte të grumbullonte në zgjedhjet e ardhshme vendore e të përgjithshme…Së treti, nga zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 rezultoi se votat e fituara nga PD e drejtuar nga Berisha janë të paktën mbi 70 % e të gjithë votuesve demokrate përballë rreth 30 % të votuesve që mbështetën grupimet e tjera në PD …
5. Këto të dhëna ndoshta ( që ende s’pranohen nga palët në PD) do të shërbenin/mjaftonin për të mbështetur tezën e BASHKIMIT përmes fraksioneve, pra për të bashkuar pjesët e ndara të PD nëse kjo gjë s’do të pengohej në mënyre subjektive e me nxitje nga jashtë PD… Kam përshtypjen se shumë figura të PD, deputetë ose jo, po reflektojnë për të ecur në këtë rrugë… Është e vërtetë se “djalli fle gjetiu” prandaj të gjithë ata që duan realisht BASHKIMIN duhet të orientohen ndershmërisht e seriozisht për të përcaktuar mënyrat dhe detajet e këtij BASHKIMI ose më saktë për të përcaktuar mënyrën e përcaktimit dhe funksionimit të fraksioneve..…
6. Ky Bashkim do të vijë ndoshta gradualisht; çështja është që ai të ndodhë sa më shpejt e me kosto sa më të ulet… Të gjithë, të parët “fituesit” duhet të bëjnë çmos për bashkimin, në secilin nga variantet statutore duke privilegjuar variantin e fraksioneve, por nga ana tjetër “grupimet e tjera” duke u ndërgjegjësuar për rëndësinë e madhe të Bashkimit (s’po stigmatizoj asnjë lloj veprimi obstruktiv të përfaqësuesve të grupeve të tjera deri tani për arsye subjektive apo me origjinë nga jashtë, nga më të ndryshmet kundër Bashkimit) s’duhet të luajnë “destruktivin” sepse në fund të fundit të gjithë do të ishin jo fitues nëse Bashkimi s’ndodh, por humbësit e mëdhenj do të ishin ata që do të vendoseshin kundër kërkesës së votuesve demokratë për bashkim. Dhe të gjithë do të ishin “fitues” nëse bashkimi ndodh dhe mbi gjithçka të gjithë do të ktheheshin në “shtëpinë” e tyre me kontributet e vlerat vetjake…
7. Shpresa e votuesve demokratë për sukses në zgjedhjet e ardhshme duket se lidhet kryesisht me bashkimin e “grupimeve” në PD gjë që duhet trajtuar me vullnet të mirë në parim e në detaje, pa sektarizëm, pa inate dhe me shumë durim e qetësi… Kam përshtypjen se shumica masive e drejtuesve të lartë demokratë dëshirojnë bashkimin dhe punojnë për të ecur në këtë drejtim…