Qeveria ka publikuar në fletoren zyrtare kontratën e koncesionit/partneritetit publik privat, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe shoqërisë “Gener 2”, sh.p.k., si koncesionari dhe shoqërisë “G2 Infra”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë- Vorë – Kashar.
Ky aks është 21 km dhe qeveria vendosi që t’ia japë për ndërtim firmës “Gener 2”, e cila fitoi të drejtën në Apel, por këshilli i ministrave nuk e pa të arsyeshme që ta çonte në rekurs në gjykatën e Lartë, por ia dha, madje, nga 13 vite në 35 vite, duke i shtuar edhe 22 më shumë.
Ministria nuk iu përgjigj interesimit të “5pyetjet.al” se përse nuk e çoi në rekurs duke heshtur. Sot në kontratë janë detajuar çmimet që duhet të paguajnë qytetarët për të kaluar në këtë rrugë nga momenti që të përfundojë për 35 vitet në vijim.
“Nga data e fillimit të operimit, shoqëria koncesionare do të zbatojë tarifën 2.1 euro pa TVSH për automjet” thuhet në kontratë.
Tarifa do të jetë e përshtatur, ku autobusët dhe kamionët do të paguajnë më shumë. “’5pyetjet.al” sjell më poshtë në tabelë çmimet për automjetet.
Në kontratë specifikohet edhe mënyra e pagesës së tarifës, por cfarë ndodh me ata që vijnë apo shkojnë drejt Rrugës së Kombit, do të paguajnë dy herë?
Historia e koncesionit
Ky koncesion është pjesë e programit 1 miliard euro dhe nisi si shumë të tjerë si një propozim i pakërkuar nga kompania “Gener 2” në vitin 2017. Qeveria e pranoi propozimin duke e shpërblyer kompaninë “Gener 2” me 8.5 për qind të pikëve. Tenderi u zhvillua në korrik të vitit 2018 dhe, ashtu siç pritej, fituese e koncesionit u shpall kompania Gener 2, e cila ofroi ta ndërtonte rrugën me 225.8 milionë euro.
Këtu ishte vetëm vlera e ndërtimit, pa përfshirë mirëmbajtjen, koston e interesit të parasë për 13 vjet dhe fitimin e kompanisë. Vlera e vërtetë ishte shumë herë më e madhe. Por pasi doli skandali i “DH Albania” kontrata koncesionare u ndërpre në 21 janar të vitit 2019 dhe fondet e parashikuara që të shkonin për këtë projekt, qeveria i kaloi për universitetet pas protestës së studentëve.
“U ndërpre procedura e Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Fondi i dedikuar për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar do të kalojë për Universitetin” deklaroi Balluku, tre vite më parë.
Në 6 shtator të vitit të kaluar Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë vendosi që të rikthejë koncesionin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar duke i dhënë të drejtë kompanisë “Gener2” dhe rrëzuar qeverinë, që kishte fituar në shkallën e parë. Vendimi u mor nga trupa e gjyqtarëve, e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa. Vendimi ishte i formës së prerë duke i kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratojë kontratën me kompaninë.
Dy ishin rrugët e qeverisë; ose ta pranonte, ose ta ankimonte duke i bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Këshilli i Ministrave zgjodhi rrugën e dytë, koncesioni kaloi nga dera e pasme. Qeveria, përmes ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku u justifikua se ajo e anuloi kontratën, por e detyroi gjykata, por në fakt vendimit të Apelit nuk i bëri rekurs në Gjykatën e Lartë.