Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga, juristja e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, Rovena Alikaj, noteri Aleko Anagnosti dhe 3 persona të tjerë janë arrestuar këtë të mërkurë.
Ata kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metra katror tokë, e cila më parë shërbente si lulishte, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë ndërtuar.
Një nga të arrestuarit si përfitues është 61-vjeçari Fredi Merkuri, i cili punon pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve në Bashki. Mësohet se në emër të tij në korrik të vitit 2020, është lëshuar një certifikatë pronësie nga Hipoteka e Sarandës për një truall 1500 m2.
Po ashtu përfituese rezulton edhe Argondia Caraj, 57-vjeçe, si dhe Viktor Llomi, të dy këta persona janë tregtarë.
Mësohet se këta persona realizonin dokumente të falsifikuara, që tregonin se këto prona i kishin përfituar nga Bashkia dhe më pas i regjistronin në Hipotekë.
Hipotekimet janë bërë në vitin 2020, më pas Hipoteka i dërgon shkresë Bashkisë që të verifikojë dokumentacionin e këtyre personave brenda 1 muaji, dhe nëse Bashkia nuk kthen përgjigje, Hipoteka e regjistron automatikisht.
Në këtë mënyrë janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetas të ndryshëm rreth 10.000 m2 truall.