Dy qytetarë anglezë u ndaluan në Rinas gjatë muajit maj me disa pajisje radio të dyshuara për spiunazh. Prej disa ditësh, autoritetet tona po kryejnë verifikimet për të kuptuar llojin e radiove dhe arsyen e vizitës së dy shtetasve të huaj.
Dy anglezët kanë mohuar të kenë kryer veprimtari të jashtëligjshme në vendin tonë, megjithëse për shkak të deklarimeve kontradiktore dhe llojit të pajisjeve të panjohura, hetuesit shqiptar po shohin çdo pistë.
Megjithatë është kërkuar akt-ekspertimi për pajisjet e gjetura në një çantë në momentin që po largoheshin nga Shqipëria, në mënyrë që të përcaktohet lloji dhe funksioni i tyre.
Dy vizitorët e huajt thanë hetuesve se ata ishin të apasionuar në komunikimet me radio dhe janë të specializuar në këto çështje.
Në Shqipëri kanë ardhur pikërisht për këtë hobi dhe se radiot tyre komunikojnë me çdo vend të botës në pak sekonda. Megjithatë deklarimet e tyre nuk janë gjetur bindëse për hetuesit, të cilët kanë ngritur dyshimet e spiunazhit.