Prokurori i Rrethit Gjyqësor Krujë, Florian Bonjaku, pas kalimit të vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk i ka përmbajtur emocionet, teksa shihet duke përqafuar dhe puthur në buzë partneren e tij.
Bonjaku iu nënshtrua rivlerësimit në të tri kriteret nga një trupë e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sabxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Steven Kessler.
Komici tha gjatë relatimit se Bonjakut i ishte kaluar barrë prove për “cënimin e besimit të publikut te drejtësia” në lidhje me një kontratë shit-blerjeje me vjehrrin dhe vjehrrën që prokurori pranoi se ishte bërë vetëm formalisht me qëllim marrjen e një kredie. Komici tha se Bonjakut i ishin kërkuar shpjegime në transaksionet e bëra cash për shitjen e një apartamenti 9.6 milionë lekë dhe blerjen e një apartamenti për 8.9 milionë lekë.
Bonjakut po ashtu iu kërkuan shpjegime në lidhje me zbutjen e akuzës ndaj një personi të arrestuar për kultivim narkotikësh, por të dërguar në gjykim për “moskallëzim krimi”.
Gjatë fjalës së tij, prokurori Bonjaku këmbënguli se kontrata me familjen e bashkëshortes nuk kishte dëmtuar askënd dhe se kishte qenë e vetmja formë që ai dhe familja të bëheshin me shtëpi.
Seanca ndaj prokurorit të Krujës pati më shumë vëmendje se seancat e zakonshme të KPK-së. Tre herë gjatë seancës, të pranishmëve, kryesisht familjarë të Bonjakut, iu bënë me dije rregullat, përfshi kërkesën specifike për të mos fotografuar apo filmuar gjatë seancës. Ndërkohë i pranishëm në sallë në pjesën e publikut ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.