Zbardhen detaje të reja nga grabitja me dhunë e dy të moshuarve në Vermosh të Malësisë së Madhe, ku autorët lidhën çiftin e moshuar dhe i grabitën. Miri Tinaj tregon momentet e tmerrit të përjetuara pas mesnatës, teksa thekson se autorët kanë hyrë brenda me automatikë, duke lidhur e dhunuar më parë burrin, dhe pastaj edhe atë.
“Kane ardhur dy persona te maskuar dhe me automatike ne duar. Kane lidhur burrin te parin dhe unë qëndrova me shume por me pas me rrahën dhe me lidhen edhe mua.
Me thanë ku i keni paratë. Ne i thamë që nuk kemi, por ata na dhunuan dhe pastaj i treguam. Kanë marrë paratë dhe me pas jane larguar duke na lënë te lidhur. Une jam dëmtuar më shumë ndaj edhe kam ardhur në spital. Kemi qëndruar për rreth një ore e gjysëm të lidhur dhe unë kam ecur duke u zvarritur deri sa kam shkuar në kuzhinë.
Aty kam marre një thike dhe jam liruar. Kam njoftuar komshinjtë dhe me pas edhe policinë. Policia duke ardhur rrugës ka hasur me automjetin e aksidentuar që na kanë marr autoret nga oborri i shtëpisë. Ne kemi pasur goxha para sepse ka marre burri kursimet e pensionit, leket qe na kane sjell djemtë plus edhe kemi punuar duke shitur prodhimet tona. Pasi kane marre paratë dhe sendet e argjendta jane larguar”, shprehet gruaja e traumatizuar nga ngjarja.